Haradinaj në Rahovec: Me qeverisjen tonë Kosova anëtarësohet në NATO
Koalicioni AAK-Nisma, së bashku me partnerët e tjerë politikë, ka mbajtur një tubim zgjedhor në Rahovec, ku ka prezantuar kandidatët e tyre për deputetë nga kjo komunë.
Në këtë tubim, liderët e koalicionit, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kanë folur për prioritetet e tyre për qeverisjen e ardhshme të Kosovës.
Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka theksuar se siguria do të jetë një nga prioritetet kryesore të një qeverie të udhëhequr nga ai. “Zgjidhja për sigurinë e plotë e të përjetshme deri sot, kontrata ma e fuqishme e sigurisë është NATO. Ne duhet të hyjmë në NATO dhe jam i gëzuar që mundem me ju thanë se së shpejti do ta kemi lajmin e mirë për Kosovën në NATO”, ka deklaruar Haradinaj.
Nga ana e tij, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar rëndësinë e bashkimit të forcave politike për të mirën e Kosovës. “Jemi bashkuar për të mirën e e Kosovës”, ka thënë Limaj.
Të dy liderët e koalicionit kanë premtuar se do të punojnë për forcimin e ekonomisë së vendit, duke ofruar më shumë vende pune dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për biznesin. Gjithashtu, ata janë zotuar të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike dhe të sigurojnë një jetë më të mirë për qytetarët.