Haradinaj në Mitrovicë: Vetëm NATO-ja na sjell sigurinë dhe zhvillimin
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët – Forumi E30 dhe Lista Ideal, Ramush Haradinaj, premtoi sot se vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sjellë sigurinë dhe zhvillimin e vendit, veçanërisht të Mitrovicës.
Në një tubim elektoral në këtë komunë, Haradinaj theksoi se pa anëtarësimin në NATO, Kosova nuk mund të arrijë sigurinë e plotë, as ekonomike dhe as energjetike. “Sigurinë e plot nuk mund ta arrijmë pa të, sigurinë ekonomike jo se jo, e as sigurinë në energji”, u shpreh ai.
Partnerët e tij në koalicion, Fatmir Limaj dhe Abdullah Klinaku, u fokusuan në premtime konkrete për Mitrovicën. Ata premtuan një plan të qartë për fuqizimin e Kombinatit Metalurgjik të Kosovës (Trepça) dhe ndërtimin e xhamisë së Ibrit.
“Mitrovicës do t’ia kthejmë zhvillimin dhe simbolin e Mitrovicës, xhaminë e Ibrit”, tha Klinaku, kryetar i Demokracisë Konservatore.
Limaj, kryetar i Nismës, theksoi se koalicioni ka një model të gatshëm për ringjalljen e Trepçës. “Ne e kemi modelin për ta rikthyer Trepçen. Ejani të bashkohemi në këtë koalicion fitues e ta kthejmë ekonominë fuqishëm në Mitrovicë. Sot minatori është keq, Trepça është duke mbijetuar e pak pa vdekur”, u shpreh ai.