Hamza në Rahovec premton mbështetje për biznesin dhe punësimin në Kosovë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë një vizite në një kompani të teknologjisë së ushqimit në Xerxë të Rahovecit, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së biznesit dhe të punësimit në vend.
“Ky është një rajon bujqësor, me shumë vreshtarë e perimtarë të dalluar, që i mbushin tryezat tona me prodhime vendore. Gjithandej Kosovës, njerëzit që duan të punojnë, që kanë ide e plane, do ta kenë mbështetjen time. Ne do t’i mbështesim ndërmarrjet që t’i rrisin investimet e tyre, por prej tyre kërkojmë t’i mbështesin më shumë punëtorët, me vende pune të qëndrueshme dhe me kushte e paga të dinjitetshme,” ka thënë Hamza.
Hamza parasheh masa direkte që rrisin sigurinë për punëtorët, duke theksuar se investimet në sektorin privat duhet të kenë efekt edhe në zhvillimin e punëtorëve.
Kandidati i PDK-së ka theksuar se Kosova ka nevojë për investime publike që nxisin punësim dhe zhvillim. “Kosova mundet ma mirë!” – ka shtuar ai.