Hamza: Me “Fondin e Papunësisë” do t’i mbështesim të gjithë që i humbin vendet e tyre të punës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që janë të shqetësuar për humbjen e vendeve të punës.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Hamza ka theksuar se një nga prioritetet e tij kryesore është forcimi i barazisë dhe përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve.
“Me reforma të thella në tregun e punës, ne do të përgjigjemi në mënyrë efektive ndaj kërkesave të tij. Përveç kësaj, do të krijojmë Fondin e Papunësisë, një mjet i cili do të ofrojë mbështetje financiare dhe profesionale për të gjithë ata që humbasin punën,” ka thënë Hamza.
Ky fond, sipas Hamzë, do të ofrojë përfitime për një periudhë të caktuar, duke ndihmuar kështu qytetarët të përballojnë shpenzimet e përditshme në një periudhë kaq të vështirë. Gjithashtu, fondi do të ofrojë edhe programe të trajnimit dhe të zhvillimit profesional, me qëllim që të papunët të mund të fitojnë shkathtësitë e nevojshme për t’u rikthyer sa më shpejt në tregun e punës.
“Asnjë qytetar, asnjë punëtor nuk do të lihet vetëm në përballje me sfidat e përditshme. Me mua kryeministër, shteti do të jetë gjithmonë pranë tyre,” ka shtuar Hamza.