Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 11 janar

06.01.2025

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit do të nisë zyrtarisht më 11 janar.

“Pas një procesi të gjatë përgatitjes, më në fund kemi ardhur në prag të fillimit të fushatës zgjedhore. Që nga mesi i muajit gusht KQZ ka qenë duke punuar intensivisht për të siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe demokratike,” tha Radoniqi në një deklaratë për media.

Sipas Radoniqit, një pjesë e madhe e përgatitjeve tashmë janë kryer me sukses, ndërsa pjesa tjetër është në proces të finalizimit. Votimi përmes postës për qytetarët që ndodhen jashtë Kosovës do të fillojë më 9 janar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën certifikoi listën e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Sipas kësaj liste numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.