Fushata zgjedhore e kushtueshme në Kosovë: Shpenzimet e partive politike

19.02.2025

Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë u karakterizuan nga një fushatë e kushtueshme zgjedhore e shumicës së subjekteve politike, duke ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë e shpenzimeve me limitin e lejuar prej 2 milionë e 47 mijë eurosh.

Tubimet e shumta, sallat e marra me qira, posterët, reklamat në media, angazhimi i kompanive konsulente dhe hapja e zyrave të reja, krijuan përshtypjen e një angazhimi të madh financiar nga ana e partive politike.

Organizata “Demokracia në Veprim”, e cila ka monitoruar fushatën zgjedhore për respektimin e rregullave ligjore, vlerëson se fushata e shumicës së subjekteve dukej më e shtrenjtë se limiti i lejuar i shpenzimeve. Eugen Cakolli, nga kjo organizatë, thekson se bazuar në trendet e monitorimit, shumica e subjekteve kanë bërë fushatë të kushtueshme, duke u afruar kufirit prej dy milionë eurosh, dhe disa prej tyre mund ta kenë edhe kaluar këtë limit.

Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe Njësia e Kontrollit Financiar, kanë monitoruar fushatën në terren, duke mbledhur të dhëna mbi tubimet, zyrat e marra me qira dhe materialet promovuese të subjekteve politike. Besnik Buzhala, shefi i kësaj zyre, ka deklaruar se të dhënat e mbledhura do t’i dorëzohen auditorit, i cili do të auditojë raportet e deklarimit financiar të subjekteve politike, për të verifikuar nëse ato kanë raportuar saktë dhe i kanë zbuluar të gjitha shpenzimet e tyre gjatë fushatës.

Subjektet politike janë të obliguara të dorëzojnë këto raporte financiare 30 ditë pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Ylli Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka konfirmuar se agjencia që ai drejton ka shqiptuar vërejtje për disa zyrtarë që nuk kanë raportuar donacionet për subjektet politike në fushatë, si formë e mundshme indirekte e ndikimit në votë.

Edhe Njësia e Inteligjencës Financiare ka monitoruar transaksionet financiare të partive politike apo personave të lidhura me to, por kjo njësi nuk ka pranuar të japë detaje për rastet e monitoruara të transaksioneve që ndërlidhen me fushatën zgjedhore.

Buxheti i Kosovës ndan 4.8 milionë euro në vit në mbështetje të partive politike, por jo posaçërisht për fushatë. Në shumtën e rasteve, partitë politike deklarojnë në raportet e tyre financiare vetëm të ardhurat nga buxheti i shtetit, por jo edhe burimet e tjera financiare.

Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” thekson se nuk kërkohet shumë mend e analizë për të kuptuar se partitë politike marrin financa nga donatorë të ndryshëm privatë, por që shteti nuk ka mungesë të resurseve për të hetuar ato.

Ligji për financimin e partive politike kufizon kompanitë që financojnë një subjekt politik që nuk mund të marrin tenderë jo vetëm kur ajo parti të jetë në pushtet, por edhe tri vite më pas. Kjo është arsyeja pse shumica e subjekteve nuk zbulojnë burimet e donacioneve të tyre.