Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë vetëm 12 ditë, nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor.

Ai bëri të ditura edhe periudhat e certifikimeve të partive politike nga ana e KQZ-së.

“Periudha për certifikimin e partive politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike”.

“Lista e kandidatëve të partive politike, realizohet nga 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra 7 dhjetori është data e fundit ku partitë politike mund të dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ”, tha Elshani.

Tërheqja e shortit nga ana tjetër, do të bëhet më 8 dhjetor.

Pas shpërndarjes së Kuvendit të enjten, presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ky vendim u mor për shkak të dështimit për formimin e Qeverisë së re, përbërjen e të cilës Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar dy herë pa sukses.

Caktimi i datës së zgjedhjeve erdhi pas takimit që presidentja Osmani e zhvilloi me liderët e partive parlamentare.