Aderimet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk po ndalen, së fundmi Bejtullah Osmani dhe Bedri Azemi, janë bërë pjesë e partisë së Albin Kurtit, i cili është i nominuar për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Kreu i VV-së, Albin Kurti tha se Osmani e Azemi janë dy ushtarë me përvojë si në luftë ashtu edhe në paqe.
Po ashtu Kurti tha se Bejtullah Osmani në qershor të vitit 1998 u kthye nga disa vite emigrim në Zvicër për t’u bërë pjesë e UÇK-së në Zonën e Shalës dhe të Karadakut.

Njoftimi i plotë i Albin Kurtit në facebook:
Bejtullah Osmani dhe Bedri Azemi janë bërë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dy ushtarë me përvojë si në luftë ashtu edhe në paqe.
Bejtullahu Osmani në qershor të vitit 1998 u kthye nga disa vite emigrim në Zvicër për t’u bërë pjesë e UÇK-së në Zonën e Shalës dhe të Karadakut. Pas luftës, ka përcjellur transformimin e UÇK-së në TMK për të shërbyer në Zonën numër 6 të saj dhe më pas ka qenë pjesë e FSK-së në Batalionin e Reagimit të Shpejtë deri në daljen në pension.
Bedri Azemi prej vitit 1981 nuk ka munguar në angazhimin kombëtar deri në mobilizimin brenda radhëve të UÇK-së. Në TMK ka mbajtur gradën nënkolonel dhe ka qenë shef kabineti në Komandën e Logjistikës. Aktualisht jeton në Itali me familjen ku edhe ushtron një biznes të vogël në ndërtimari.
Bejtullahu dhe Bedriu kanë qenë gjithnjë në nivelin e detyrës qytetare, patriotike dhe ushtarake. Përvoja dhe përgatitja e tyre na ndihmojnë t’i paraprijmë të ardhmes tonë të mirë e të përbashkët.