DnV vëzhgon mbarëvajtjen e zgjedhjeve: Vonesa në hapjen e vendvotimeve dhe sfida të tjera
Sot, në të gjithë Republikën e Kosovës po mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm demokratik me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë të pranishëm në 500 vendvotime të përzgjedhura në bazë të një kampioni përfaqësues të rastësishëm.
Pas procesit të votimit që u zhvillua në 19 misionet diplomatike të Kosovës, ku votuesit që jetojnë jashtë vendit patën mundësinë të votojnë fizikisht për herë të parë, DnV beson se një atmosferë e njëjtë demokratike do të mbizotërojë edhe në zgjedhjet e sotme.
Hapja e vendvotimeve
Në tërë territorin e Kosovës janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave nga terreni, vetëm 9% e vendvotimeve janë hapur me vonesë. Shkak i vonesave është raportuar të jetë mungesa e komisionerëve në 6% të vendvotimeve.
Aranzhimi i vendvotimeve
Aranzhimi i vendvotimeve është bërë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Nuk janë raportuar raste të vendosjes së kabinave të votimit në vende që do të cenonin fshehtësinë e votës, apo raste të vendosjes së kamerave që do të mund të cenonin këtë fshehtësi.
Siguria dhe ambienti rreth qendrave të votimit
Edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metrash të qendrës së votimit, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të qendrave të votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, dhe nuk është raportuar asnjë rast ku kanë munguar forcat policore.
Qasja e personave me aftësi të kufizuara
E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje është një e drejtë universale që duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, përfshirë votimin. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i qendrave të votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e qendrave të votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson qasje personave me aftësi të kufizuara.
Informimi i votuesve
Me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale. Në këto zgjedhje, votuesit mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa lejohej në zgjedhjet e fundit parlamentare. Rrjedhimisht, çdo qendër votimi duhet të ketë të vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të qendrave të votimit.
Pjesëmarrja e grave në këshillat e vendvotimeve
Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%.
Incidentet në hapje të vendvotimeve
Është raportuar për dy raste kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në qendrat e votimit “Abdyl Frashëri 2002/05” dhe “Motrat Qirazi 2003/07”.
DnV do të vazhdojë të monitorojë me përpikëri mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe do të raportojë çdo parregullsi të mundshme.