“Diaspora Voton”, LVV: Mbi 92 mijë aplikime, PDK, LDK dhe AAK bllokuan shtyrjen e afatit për regjistrim
Mbi 92 mijë shtetas të Kosovës kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, por tre partitë më të mëdha politike pengojnë zgjatjen e afatit për regjistrim.
Numri i shtetasve të Kosovës që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme duke ushtruar të drejtën e tyre të votes nga diaspora po rritet me shpejtësi. Deri më tani, rreth 83,446 votues janë regjistruar, ndërsa 8,979 kërkesa tjera janë në pritje, duke e çuar numrin total të aplikimeve në afro 92 mijë.
Megjithatë, ky numër pritet të jetë edhe më i lartë, pasi shumë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë shprehur dëshirën për t’u regjistruar. Për të mundësuar që sa më shumë qytetarë të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin zgjedhor, disa parti politike kanë kërkuar shtyrjen e afatit për regjistrim.
Mirëpo, kjo kërkesë është bllokuar nga tre partitë më të mëdha politike në vend, PDK, LDK dhe AAK. Këto parti nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku është diskutuar kjo çështje, duke penguar kështu mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për tre ditë.
Në një reagim të shpejtë, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar ashpër qëndrimin e këtyre partive, duke theksuar se ato po pengojnë qytetarët e Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore. “Askush nuk i pyet pse nuk morën pjesë në këtë mbledhje, ndërkohë që me zell të madh neve na pyesnin për Listën Serbe”, thuhet në reagimin e LVV-së.