Liderët e partive, në kuadër të premtimeve parazgjedhore, kanë filluar premtimet e tyre për heqjen e vizave derisa shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jetë unike për këtë proces.
Ekspertët e integrimeve vlerësojnë se zgjedhjet nacionale në Kosovë nuk e pengojnë heqjen e vizave, por që ky proces nuk pritet të jetë në agjendë të BE-së së paku deri në vitin 2020, shkruan gazeta “Zëri”.
Po bëhen tashmë 10 vjet qëkur liderët shtetërorë të Kosovës i kanë filluar premtimet e tyre për liberalizim të vizave, derisa ky proces vazhdon të mbetet i bllokuar te Këshilli i Ministrave i BE-së, i cili ende nuk e ka futur në agjendë. Mirëpo kjo gjë nuk i ka ndaluar krerët e partive në Kosovë që në kuadër të premtimeve elektorale ta përmendin edhe heqjen e vizave për Kosovën.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili deri më tani dhjetëra herë ka premtuar heqjen e vizave, një premtim të tillë e bëri përsëri javën që lamë pas, duke theksuar se liberalizimi mund të ndodhë më së largu deri në tetor të këtij viti. “Jemi në proces. Mendoj se nuk ka mbetur shumë. Tani në shtator do të vijë delegacioni i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, në javën e parë ose në të tretën. Nuk është çudi të merret në këtë vjeshtë, qoftë edhe para zgjedhjeve është i mundshëm, pra nuk është çudi. Në tetor besoj po se po”, ka thënë Haradinaj.
Liberalizimin e vizave gjatë mandatit të tij si kryeministër Ramush Haradinaj e ka premtuar me dhjetëra herë. Ai në vitin 2017 gjatë fushatës parazgjedhore pati thënë se nën qeverisjen e tij liberalizimi i vizave do të ndodhë për 90 ditë. “Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës në Qeveri për liberalizim të vizave me BE-në”, kishte thënë kryeministri.
Një deklaratë tjetër për heqjen e vizave Haradinaj e dha edhe më 23 mars 2018. “Liberalizimi i vizave ka ndodhur, ka ndodhur pardje”, deklaroi i bindur në fjalët e veta Haradinaj, mirëpo as kjo prognozë e kryeministrit nuk doli të jetë e saktë, shkruan “Zëri”.
Edhe ministrja e Integrimeve në qeverinë “Haradinaj”, Dhurata Hoxha, e ka premtuar heqjen e vizave disa herë. Ajo në një intervistë për “Zërin” kishte thënë se liberalizimi do të ndodhë brenda vitit 2018. “Duke u bazuar në dinamikën e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe nga proceset e liberalizimit të vizave që kanë kaluar vendet e rajonit, unë pres që qytetarët tanë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti. Ne kemi plotësuar 95 kriteret për këtë proces, është bërë punë e madhe dhe me të drejtë presim që izolimi i qytetarëve tanë të marrë fund deri në fund të këtij viti, pra ata të lëvizin të lirë”, kishte pohuar ajo.
Përveç liderëve shtetërorë, premtime dhe zotime për heqjen e vizave kanë dhënë disa herë gjatë vitit të kaluar edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian. Shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostollova, në nëntor të vitit të kaluar kishte theksuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe se tani nuk i mbetet asnjë kusht për t’u plotësuar./ZERI/