“Çështje javësh”, Haradinaj premton anëtarësim të shpejtë në NATO nëse vjen në pushtet
Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka premtuar se nëse vjen në pushtet, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë çështje javësh.
Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi në NATO është prioriteti kryesor i tij dhe se Kosova është gati të përmbushë të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e këtij aleanci.
“Edhe tash garanci nuk guxoj me i fol unë se ato janë me vendim të aleatëve, por shpresën e madhe e kam që është çështje e javësh me u kry NATO pas fillimit të qeverisë së re”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha detyrat e shtëpisë që janë të nevojshme për të marrë planin e veprimit për anëtarësim në NATO (MAP). Haradinaj ka theksuar se me një qeveri të re, e cila do të jetë e përkushtuar për këtë çështje, anëtarësimi në NATO do të jetë një proces shumë më i shpejtë.
“Zotime të shkruara, të konfirmuara dhe do t’i përmbahem 100%, do t’i respektoj, janë gjëra serioze dhe janë zotime që janë në nderin e Kosovës, janë zotime që ku me marrë Kosova me u krye ato zotime e me hy në NATO menjëherë”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për sigurinë e Kosovës dhe për të ardhmen e saj euro-atlantike. Ai ka shprehur besim se me një qeveri të udhëhequr nga AAK, Kosova do të bëjë një hap të madh drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.