Nikolas Lobel, anëtari i CDU-së së kancelares Angela Merkel dhe anëtar i Bungestagut gjerman, ka reaguar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës e ka caktuar Vjosa Osmanin si mandatare për kryeministre në zgjedhjet që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Ai kandidimin e Osmanit e sheh si një mundësi që Kosovës t’i jepet një vizion dhe energji e re për të ecur përpara.

“Unë besoj fuqishëm që politikanët e ri dhe të besueshëm mund t’i injektojnë Kosovës energji dhe vizion të ri” ka shkruar Lobel.

Ndër të tjera ai ka thënë se Vjosa Osmani është gruaja e parë në historinë e Republikës së Kosovës që po garon për postin e kryeministres.

“Deputetja Vjosa Osmani është gruaja e parë në historinë e Kosovës që po garon për kryeministre. Osmani vjen nga LDK’ja, parti simotër e CDU-së dhe anëtare e familjes së Partive Popullore të Evropës”, ka shkruar ndër të tjera Lobel në llogarinë e tij në twitter, shkruan GazetaBlic.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mandatuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre në mbledhjen e fundit të Kryesisë së mbajtur të hënën.