Partitë politike edhe në këto zgjedhje vlerësohet se shumicën e votave do t’i marrin nga bastionet, prej të cilave kanë mbështetje tash e sa kohë. Rrafshi i Dukagjinit, Drenica e Anamorava janë caqet e PDK-së, AAK-së e PSD-së, përderisa LDK-ja dhe Vetëvendosja pretendojnë të përkrahen fuqishëm nga e gjithë Kosova.
Që nga dje partitë politike e kanë nisur fushatën e tyre zgjedhore për t’i kërkuar votat e qytetarëve për zgjedhjet e 6 tetorit. Edhe në këto zgjedhje subjektet politike presin përkrahje nga bastionet e tyre e disa pretendojnë që ta marrin shumicën e votave nga disa vende, që njihen si bastione të partive tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse janë shprehur se kanë shtrirje dhe presin vota prej të gjitha regjioneve të Kosovës, analistët vlerësojnë se në disa prej komunave do të jenë në luftë me njëra-tjetrën.
Për PDK-në Drenica do të vazhdojë të jetë bastioni kryesor i saj, ndonëse kanë ambicie të marrin shumë vota edhe në disa nga komunat e AAK-së e të LDK-së.
Ndërsa për AAK-në Dukagjini do të vazhdojë të jetë bastioni kryesor që do ta shënojë fitoren e koalicionit AAK-PSD, ashtu siç pritet të jetë edhe Malisheva për Nismën Socialdemokrate./Zëri/