Gjatë një takimi me gra, Hamza ka theksuar se këto dukuri janë të papranueshme dhe se si kryeministër do të zbatojë politikat e tolerancës zero ndaj tyre.
“Kur dëgjoj për një grua që përballet me dhunë në familje, kjo është e papranueshme,” ka deklaruar Hamza. Ai ka shtuar se zotimi i tij është i qartë: të krijohet një shoqëri ku gratë të ndjehen të sigurta, të barabarta dhe të përkrahura.
Hamza ka folur nga perspektiva personale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së familjes në jetën e tij. Ai ka falënderuar bashkëshorten e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shprehur dashurinë e tij për të tre fëmijët, duke theksuar se ka një përkrahje më të madhe për vajzat e tij.
“Do të ju flas edhe si baba i dy vajzave, që i dua shumë. Dhe të them të drejtën unë jam prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Për nga dashuria nuk mundem t’i ndajë, i dua të tre, por për nga përkrahja i dalloj, sepse i përkrahi vajzat më shumë,” ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së ka premtuar se do të punojë për të siguruar që çdo grua në Kosovë të ketë mundësi të barabarta, të jetë e sigurt dhe e përkrahur. Ai ka theksuar se do të ndërmerren masa konkrete për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.