Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherit edhe kandidat për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosje do të qeverisë me laps dhe gomë.
Sipas Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti kundërshtarët e tij politikë kanë qeverisur me lëpirëse, njofton Klan Kosova.
Gjatë ditës së sotme është mbajtur tubimi i radhës në sheshin e Podujevës, ku Kurti deklaroi se janë në qytetin e dijes, sportit si dhe kulturës.
“Vetëvendosje do të qeverisë me laps dhe me gomë, ndërsa këto e qeverisjet e pasluftës nuk kanë qeverisur me gomë as me laps, ata kanë qeverisur me lëpirëse”.
“Pasha zotin dojmë të fitojmë. Dita që dikur dukej e pamundshme sot është e arritshme, dita që dikur dukej shumë larg sot është shumë afër. Mirë se ju gjetëm në qytetin e bukur të Besianë, në qytetin e dijës, kulturës dhe sportit”.
Po ashtu, Kurti tha se VV-ja e mban emrin e “Vetëvendosjes” pasi që ishte parulla kryesore në demonstratat e vitit 1968.
“Në qytetin e bacës Adem, Afrimit, Zahirit dhe Ilirit. Në Llapin e Mon Balajt dhe Ylfete Humollit. VV-ja e mban emrin e “Vetëvendosjes që ishte parulla kryesore në demonstratat e vitit 1968 të cilat e sollën Universitetin e Prishtinës në ballë e që ishte bashkë me Xheladin Rekaliun dhe Ilaç Pirevën”.
Kurti më tej shtoi se duhet të jepet përgjigje se pse qytetarët janë në gjendje të keqe.
“Rivalët janë të frikësuar për këto zgjedhje, ne kurrë nuk do të mundemi të luftojmë korrupsionin me ata që frikësohen dhe që luten, vetëm VV-ja është garanc për ndryshim vetëm fitorja e VV-së do të dërgojë PDK-në në opozitë”.