Abdixhiku në Kamenicë: “LDK është shpresa për ndryshim”
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën e saj zgjedhore me një tubim të madh në komunën e Kamenicës. Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u është drejtuar qytetarëve të Kamenicës me një mesazh shprese dhe ndryshimi.
“Zgjedhjet për LDK-në gjithmonë janë festë, jemi këtu drejt rrugëtimit për ndryshim. Kamenica ka qenë gjithmonë simbol i drejtësisë dhe vlerave, ka dhënë shumë për Kosovën dhe pret shumë. Është koha që të bëni ndryshimin tuaj, ju ftoj për kryengritjen e cila ka marrë hov gjithandej si nevojë e shpëtimit të vendit. Autostrada e Anamoravës do të bëhet brenda mandatit qeverisës,” u shpreh Abdixhiku.
Një premtim i veçantë i Abdixhikut ishte realizimi i autostradës së Anamoravës, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit.
Kandidati për deputet nga Kamenica, Jeton Biqkaj, shtoi se LDK-ja është partia e vlerave dhe parimeve dhe se do të sjellë ndryshime pozitive në vend. “Duam një Kosovë ku vlera dhe dija të mbizotërojnë. Ndryshimi po vjen dhe ai vjen vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me kryeministër, Lumir Abdixhiku,” tha Biqkaj.
LDK-ja ka theksuar gjatë fushatës së saj se do të fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, në krijimin e vendeve të punës dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.