Gjatë vizitës së tij, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë historike të këtij qyteti në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Duke iu drejtuar banorëve të Kaçanikut, Abdixhiku ka thënë se ky qytet mbetet një simbol i vendimeve të mëdha që kanë përcaktuar të ardhmen e vendit. “Jemi mbledhur sot në këtë qytet historik, në Kaçanik, në vendin ku burrat e mëdhenj shqiptarë, në kohë të vështira i dhanë këtij populli e këtij vendi një kthesë të madhe historike,” ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se pasuria e kësaj toke dhe e kësaj historie është pasuri e të gjithë popullit të Kosovës. “Dhe sot, ne, vazhdojmë të ndjekim rrugën e ndritur që ata e hapën për ne. Dhe ashtu siç u shënua hapi i parë institucional i procesit të gjatë për liri e pavarësi të Kosovës, këtu në Kaçanik, ashtu siç nisi kthesa për historinë e re të Kosovës këtu, ashtu do të nisë dhe ringritja e madhe e LDK-së,” ka deklaruar Abdixhiku.