Abdixhiku në Gjilan: Nga Stadiumi i Futbollit, tek Autostrada e Anamoravës – deri te Dheu i Bardhë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar fushatën elektorale me një tubim në qytetin e Gjilanit.
Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u shpreh i bindur për një fitore të madhe të partisë së tij dhe theksoi se Gjilanit do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë.
“Jam këtu për t’ju thënë se Gjilanin e kemi në zemër. Kemi një program të detajuar që do të transformojë këtë qytet. Nuk ka program tjetër që ofron më shumë për Gjilanin se sa programi ynë”, tha Abdixhiku.
Kandidatët e tjerë nga Gjilani, Lutfi Haziri dhe Valentina Bunjaku Rexhepi, u bashkuan me Abdixhikun në premtimet për një të ardhme më të mirë për qytetin. Haziri theksoi rëndësinë e projekteve jetësore për banorët e Gjilanit, ndërsa Bunjaku Rexhepi shprehu besimin se LDK-ja do të sjellë ndryshimin e madh që Gjilanit i nevojitet.
“Në gjithë madhështinë e takimit, që tani në nivel të nëndegëve po na shndërrohen në tubime madhore, prezantova projektet kryesore për Gjilanin.
Nga Stadiumi i Futbollit, tek Autostrada e Anamoravës – deri te Dheu i Bardhë; mësimi tërëditor, e deri te investimi 10 milionësh në Spitalin Rajonal me qëllim të transformimit të tij në një qendër të ekselencës!” ka shkruar Abdixhiku.