Zgjedhjet e shpeshta në Kosovë, ndikim negativ edhe në ekonomi

06.02.2021

Pothuajse kanë mbetur edhe një javë deri në datën, ku do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në vitin 2019 u mbajtën po të njëjtat zgjedhje, po ashtu edhe këtë vit po mbahen zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të pashen nga ato lokale në vjeshë. Mirëpo, çështja e presidentit mund të ndërlikojë […]

Zgjedhjet e shpeshta në Kosovë, ndikim negativ edhe në ekonomi Foto: Ilustrim

Pothuajse kanë mbetur edhe një javë deri në datën, ku do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në vitin 2019 u mbajtën po të njëjtat zgjedhje, po ashtu edhe këtë vit po mbahen zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të pashen nga ato lokale në vjeshë.

Mirëpo, çështja e presidentit mund të ndërlikojë situatën dhe njohësit politikë, por edhe vetë partitë, nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjeve të zgjedhjeve të tjera gjatë verës nëse dështon të zgjidhet kreu i shtetit.

Megjithatë, paralajmërimi për zgjedhje të reja menjëherë pas atyre të 14 shkurtit në rast se dështon zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, po konsiderohet i rrezikshëm për ekonominë e vendit.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka deklaroi për KosovaPress se mbajtja e zgjedhjeve ka ndikim negativ, aq më tepër në kohë pandemie, ku dëmet më të mëdha sipas Zekës do të jenë sa i përket rritjes ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe për të hyrat buxhetore.

“Në këtë aspekt mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve, shikuar edhe në aspektin historik, në vendin tonë gjithmonë ka ndikuar edhe në normën e përgjithshme të rritjes ekonomike, edhe tek tërheqja e investimeve të huaja direkte, por edhe tek të hyrat e mbledhura për buxhetin e vendit.

Në një situatë hipotetike kur ne do të kishim zgjedhje më të shpeshta brenda një intervali të shkurtër kohor, besoj që ndikimi në ekonomi do të ishte shkatërrues, aq më tepër nëse kombinohet sërish me ndikimin që ka pandemia COVID-19, e që ka pasur gjatë vitit 2020”, thotë Zeka.

Kreu i OEAK deklaron se stabiliteti politik është faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen afariste, prandaj sipas tij mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen.

“Vetvetiu një pasiguri e tillë ose mungesa e stabilitetit politik apo edhe mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve bën që vendimet afariste të frenohen dhe investitorët, të brendshëm apo të jashtëm, të presin për momentin që ata e konsiderojnë të volitshëm për t’i zbatuar pastaj planet e tyre për zgjerim të investimeve apo për investime të reja”, deklaron ai.