Zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ mblidhet për certifikimin e listës së votuesve dhe miratimin e fletëvotimit

02.02.2021

Komisioni Qendror Zgjedhor pritet t’i jap përgjigje pyetjes se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote që do të mund të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Këtë të martë KQZ do të zhvillojë mbledhjen e radhës, për të certifikuar listën përfundimtare të votuesve e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën […]

Zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ mblidhet për certifikimin e  listës së votuesve dhe miratimin e fletëvotimit Foto: Ilustrim

Komisioni Qendror Zgjedhor pritet t’i jap përgjigje pyetjes se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote që do të mund të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Këtë të martë KQZ do të zhvillojë mbledhjen e radhës, për të certifikuar listën përfundimtare të votuesve e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka deklaruar se akoma nuk është caktuar ora e saktë e zhvillimit të mbledhjes, por që për këtë do të ketë njoftim gjatë ditës.

Gjithashtu në këtë mbledhje pritet të miratohet edhe përmbajtja dhe dizajni i fletëvotimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të planit të KQZ-së, pritet që sot të fillojë edhe votimi përmes postës, ndërsa në mbledhje do të bëhen të ditura edhe detajet shtesë për numrin e saktë të qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar si votues nga atje.

KQZ dje ka bërë të ditur se ka pranuar një raport jo përfundimtar nga shërbimi votues lidhur me periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Numri i përgjithshëm i aplikacioneve të vendosura në sistem ka qenë 175.273.

Në bazë të të dhënave jo përfundimtare, KQZ ka pranuar nga 13 deri më 21 janar rreth 131.500 aplikacione për regjistrim si votues jashtë Kosovës. Pas verifikimeve janë larguar 43.801 aplikacione si dublikate, të cilat janë dërguar nga aplikues më shumë se një herë në tre e-mail-et e shërbimit votues gjatë periudhës së aplikimit.

Vetëm 33 aplikacione janë pranuar përmes fahut postar dhe 195 të tjera përmes faksit të KQZ-së, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, 131.244 janë pranuar përmes e-mailave të shërbimit votues.

Pas vlerësimit të aplikacioneve, janë aprovuar 101.839 aplikacione për regjistrim, ndërsa janë refuzuar 29.633. Në 29.100 raste, aplikuesit janë refuzuar pasi nuk e kanë dëshmuar identitetin ose kriteret e zotësisë juridike apo nuk kanë nënshkruar aplikacionin për regjistrim.