Si do të votojnë personat e infektuar me COVID-19 në zgjedhjet e 14 shkurtit?

19.01.2021

Kanë mbetur pothuajse më pak se një muaj nga data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të iu drejtohen kutive të votimit. Tashmë të gjitha partitë politike i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për postin e kryeministërit dhe listën e kandidatëve për deputetë, ku tashmë këto lista janë dërguar në 6 institucione shkresa […]

Si do të votojnë personat e infektuar me COVID-19 në zgjedhjet e 14 shkurtit? Foto: Ilustrim

Kanë mbetur pothuajse më pak se një muaj nga data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku qytetarët do të iu drejtohen kutive të votimit.

Tashmë të gjitha partitë politike i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për postin e kryeministërit dhe listën e kandidatëve për deputetë, ku tashmë këto lista janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

E drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë të Kosovës ku neni 45 pika 1 thotë se “çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”.

Por se si do të votojnë personat me COVID-19 në zgjedhjet e 14 shkurtit, një gjë të tillë e ka sqaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në një intervistë për Telegrafin, Elezi ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet për të mundësuar që edhe personat të cilët janë në izolim, pasi janë të infektuar me COVID-19, të kryejnë obligimin e tyre qytetarë që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Prandaj, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ekipet mobile do të kujdesen që ditën e zgjedhjeve tu mundësohet votimi edhe qytetarëve të infektuar me coronavirus.

“KQZ-ja është munduar që të gjej një zgjidhje edhe për qytetarët që fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19, dhe nuk mund të shkojnë në vendvotimet. Në zgjedhjet që u mbajtën në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut, KQZ-ja ka përgatitur një udhëzim ku bëhet mënyra e regjistrimit, verifikimit dhe votimin e personave që janë të infektuar me COVID-19”, tha Elezi për Telegrafin.

Po ashtu Elezi ka bërë të ditur se do të komunikojnë me personat që gjenden në izolim dhe do të shkojnë nëpër adresa për tu mundësuar atyre votimin.