Rrugëtimi politik i Sali Asllanaj, tre mandate kryetar komune dhe një deputet

10.01.2021

Dega e LDK-së në Suharekë ka zyrtarizuar të dielën emrat  e katër kandidatëve të cilët në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të garojnë për deputetë. Pas një “pauze” disa vjeçare në skenën politike, emri i ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj, duket të jetë risia e këtyre zgjedhjeve për votuesit e tij. Historia […]

Rrugëtimi politik i Sali Asllanaj, tre mandate kryetar komune dhe një deputet Foto: Kushtrim Ternava

Dega e LDK-së në Suharekë ka zyrtarizuar të dielën emrat  e katër kandidatëve të cilët në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të garojnë për deputetë.

Pas një “pauze” disa vjeçare në skenën politike, emri i ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj, duket të jetë risia e këtyre zgjedhjeve për votuesit e tij.

Historia e tij politike fillon qysh në organizimet e hershme të LDK-së, por emri i tij filloi të bëhej edhe më i njohur gjatë viteve të luftës ku nën emblemën e UÇK-së së bashku me mjekë të tjerë shërbeu në spitalin ushtarak në Semetisht.

Në fund të shkurtit të vitit 2000, Bordi Administrativ nën udhëheqjen e administratorit të UNMIK-ut, Roberto Valent kishte 13 anëtarë, 6 prej të cilëve ishin anëtarë të LDK-së, ku Sali Asllanaj ishte emëruar në krye të këshillit për Shëndetësi dhe Punë Sociale, shkruan SuharekaOnline.

Më 26 tetor 2002,  në zgjedhjet e dyta që nga përfundimi i luftës në Kosovë Sali Asllanaj u zgjodh kryetar i kuvendit komunal të Suharekës, zgjedhje të cilat u organizuan përmes sistemit të listave të mbyllura , dhe votuesit mund të votonin vetëm për subjektet politike.

Sali Asllanaj ishte rizgjedhur kryetar i Komunës së Suharekës më 17 nëntor  2007 (ishin zgjedhjet e fundit të organizuara nga UNMIK-u së bashku me autoritetet e Kosovës para se të shpallej pavarësia)  ku qytetarët mund të votonin për kryetarin e komunës në një fletë të veçantë në raundin e dytë Asllanaj kishte fituar 3,212 vota më shumë sesa kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj.  

Asllanaj kishte garuar për kryetar komune edhe në zgjedhjet e para lokale pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ato të vitit 2009 ku kishte marr 8,462 vota, por që renditej i treti pas Blerim Kuçit të AAK-së dhe Ramë Vataj të PDK-së.

Pas humbjes së garës për të parin e Komunës së Suharekës, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010,  me 7,338 vota Asllanaj zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës, pozitë të cilën e mbajti deri në vitin 2013, kur edhe vendosi për t’iu rikthyer garës për të parin e komunës, të cilën e fitoi kundër Bali Muharremaj të AAK-së, me një epërsi prej 1,767 votash.

Pas mandatit të tretë në pozitën e kryetarit të komunës, Asllanaj i’a mësyu edhe mandatit të katërt, ku në zgjedhjet lokale të vitit 2017 përsëri garoi, por humbi garën nga Bali Muharremaj i AAK-së me një diferencë prej 1,345 votash.

Që nga ajo kohë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 paraqitjet e tij publike dhe deklaratat politike ishin të rralla.

Në vitin 2019 emri i tij përmendej si kandidat i mundshëm për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, mirëpo asokohe kjo ishte mohuar nga vet Asllanaj, ndoshta edhe për faktin se LDK kishte vendosur që të ketë listë të pastër me persona që nuk kanë problem me ligjin ku në atë kohë në emër të Sali Asllanaj ishte ngritur një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Themelore e Prizrenit në dhjetor të vitit 2019 ku e shpalli të pafajshëm.

Megjithatë Sali Asllanaj nuk do i mungojë skenës politike, pasiqë në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit është kandidatë për deputet.