Qytetarët mund të ankohen te Avokati i Popullit për parregullsitë në zgjedhje

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), përmes një njoftimi për media ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të kenë të hapur zyrat gjithandej Kosovës për të pranuar ankesat lidhur me zgjedhjet.

“Qëllimi i mbajtjes hapur të zyrave të IAP-së gjatë procesit të votimit ditën e zgjedhjeve, është pranimi i ankesave eventuale nga qytetarët, përkitazi me pretendimet për shkelje të votës apo cenimin a keqpërdorimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), në përmbushje të misionit që ka, të dielën, më 14 shkurt 2021, ditën kur zhvillohen Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbaj të hapura Zyrën Qendrore në Prishtinë dhe zyrat regjionale gjithandej nëpër vend, dhe po ashtu ekipet do të jenë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor.

Qëllimi i mbajtjes hapur të zyrave të IAP-së gjatë procesit të votimit ditën e zgjedhjeve, është pranimi i ankesave eventuale nga qytetarët, përkitazi me pretendimet për shkelje të votës apo cenimin a keqpërdorimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

Ankesat po ashtu mund të pranohen edhe në email adresën zyrtare të IAP-së në info@oik-rks.org apo në numrat e telefonit të zyrës qendrore në Prishtinë, tel: +383 38 223 782 dhe 223 783. Adresat e zyrave regjionale të IAP-së i gjeni në www.oik-rks.org”.

RAPORTO