PZAP pranon si të bazuara 144 ankesa nga mërgimtarët, refuzon 124 të tjera

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga 281 apele të paraqitura nga qytetarët jashtë vendit përmes e-mailit, 144 apele i ka pranuar si të bazuara dhe ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në që këta votues t’i përfshijë në listën e votuesve jashtë Kosovës.

124 apele i ka refuzuar si të pabazuara pasi që parashtruesit e apelit nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se të njëjtit në kuptim të nenit 5.1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme/Lokale (LZP), i plotësojnë kushtet për t’u regjistruar në listën e votuesve jashtë Kosovës dhe 13 apele i ka hedhur si të parregullta, njofton Klan Kosova.
PZAP ka njoftuar se pas afatit prej 24 orëve janë dërguar 185 e-maila apele, të cilat janë hedhur poshtë.

“PZAP-i duke u nisur nga vullneti i mirë dhe duke vlerësuar vështirësitë e Votuesve Jashtë Kosovës për dërgimin e ankesave/apeleve përmes postes si rrjedhojë e çrregullimit të komunikacionit ajror ndërkombëtar për shkak të Pandemisë Covid – 19, dhe afatit shumë të shkurtë për aplikim dhe paraqitje të ankesës/apelit, si dhe për t’i ikur keqkuptimeve të mundshme dhe për të iu bërë të mundur votimin këtyre votuesve që është një e drejtë e tyre elementare dhe e garantuar me ligj dhe me Kushtetutë, PZAP – i ka vendosur që t’i trajtojë të gjitha apelet e rregullta të tyre të dërguara përmes e-mailit në adresën e PZAP-it, në mënyrë që këta qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës që do të mbahen me 14 shkurt 2021″.

RAPORTO