PDK’ja largon nga lista një kandidat pasi nuk kaloi në procedurat e certifikimit

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e ka hequr nga lista kandidatin Argjend Tasholli pasi që nuk e ka kaluar verifikimin nga KGJK-ja, duke e zëvendësuar me Alban Bislimajn.

Lajmin e ka konfirmuar për EkonomiaOnline, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

PDK-ja ka bërë me dije se do ta respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara.

“Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit”, thuhet në një komunikatë të PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020”.

“Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”.

“Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor”.

RAPORTO