LVV kërkon publikimin e listës me votuesit e refuzuar jashtë vendit, KQZ kundërshton

11.02.2021

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Gjatë kësaj mbledhje Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar nga KQZ-ja që të publikohet lista e votuesve nga jashtë vendi e që u është refuzuar aplikimi për votim. Përfaqësuesi i LVV-së në […]

LVV kërkon publikimin e listës me votuesit e refuzuar jashtë vendit, KQZ kundërshton Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Gjatë kësaj mbledhje Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar nga KQZ-ja që të publikohet lista e votuesve nga jashtë vendi e që u është refuzuar aplikimi për votim.

Përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë se publikimi i një liste të tillë do ishte një vendim i drejtë nga ky institucion.

“Është kërkuar që të publikohet lista e personave të refuzuar dhe që janë pranuar që kanë të drejtë me e dërgu votën. Këto lista duhet të përputhen sepse me gjasë ka njerëz që nuk e dinë dhe nuk e shohin veten në listën e atyre që kanë aplikuar suksesshëm dhe janë konfirmuar.

Kjo është një problem dhe kishte me qenë e drejtë që të publikohet përfundimisht lista përfundimtare e personave të refuzuar”, ka thënë Kurteshi.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së, Burim Ahmetaj, i ka thënë Kurteshi se publikimi i kësaj liste nuk është bërë asnjëherë dhe rrjedhimisht sipas tij nuk do të publikohet as tani.

“Sipas procedurave kjo listë nuk është publikuar asnjëherë. Të gjithë ata që nuk e gjejnë veten në listën e aplikuesve të suksesshëm jashtë vendit janë në listën e refuzimeve”, ka thënë Ahmetaj