Kurti: Të fitojmë në krejt Kosovën sikur në Llap, pa balotazh

11.02.2021

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së enjte ka vizituar qytetin e Mitrovicës. Kurti i shoqëruar me presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin në takimin me qytetarët e Mitrovicës ka thënë se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të jetë bindëse, sikurse në zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, pak muaj më […]

Kurti: Të fitojmë në krejt Kosovën sikur në Llap, pa balotazh Foto: Ilustrim

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së enjte ka vizituar qytetin e Mitrovicës.

Kurti i shoqëruar me presidenten në detyrë, Vjosa Osmanin në takimin me qytetarët e Mitrovicës ka thënë se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të jetë bindëse, sikurse në zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, pak muaj më parë.

“Fitorja e 14 shkurtit duhet të jetë por sikur në Llap, pra pa balotazh, mbi 61 deputetë në mënyrë që t’i bëjmë reformat e shumëfishta me Qeveri stabile e shumicë parlamentare e dalë nga shumica gjithëpopullore.

Qytetarët e Mitrovicës do t’i falënderojmë për mbështetjen që na e kanë dhënë vazhdimisht, e ne si Qeveri kurrë nuk do t’i harrojmë ata, do t’u ndihmojmë si asnjë Qeveri tjetër e pasluftës”, u shpreh Kurti në sheshin e qytetit.

Ndërsa, numri dy i listës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësisht kushteve atmosferike nuk ka kush e ndal vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

“Mitrovica do të jetë pishtare e ndryshimeve, ashtu siç ka qenë në të kaluarën”, tha Osmani, që po ashtu vjen nga Mitrovica.