Kurti e Osmani vizitojnë Prizrenin dhe Klinën: Më 14 shkurt, do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me listën Vjosa po zhvillojnë aktivitetet për fushatën zgjedhore, ku kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani po vizitojnë komunat e Kosovës duke takuar qytetarë të shumtë.

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve Kurti e Osmani së bashku me kandidatët e tjerë për deputetë kanë vizituar qytetin e Prizrenit dhe atë të Klinës.

Osmani tha se për vendin kanë veç dashuri, ndërsa më 14 shkurt do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës.

“Ne për vendin tonë kemi veç dashuri. Bashkë me qytetarë të Prizrenit e Klinës më 14 shkurt, do të triumfojë dashuria ndaj Kosovës! #krejtdhedrejt127”.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga LVV ka thënë se: ““Do të fillojmë përgatitjen e projektit që lidh Prizrenin me Tetovën me tunel, sepse siç thuhet Prizreni dhe Tetova lart në qiell kanë qenë një qytet, por kur kanë rënë në tokë malet e Sharrit i kanë bërë dy e tash ne duhet t’i lidhim ato.

Dhe tjetra, nga këto keqqeverisjet e viteve të fundit Prizreni është diskriminuar më së shumti nga të gjitha komunat e Kosovës sa i përket buxhetit, buxheti më i paktë për kokë banori i është ndarë pikërisht Prizrenit dhe kjo do të ndryshojë menjëherë me qeverisjen tonë të re”.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit garon me numrin #127, ndërsa kandidatët për deputetë nga Suhareka, Salih Zyba në listën e kandidatëve mban numrin #110 dhe Hysen Durmishi numrin #50.

RAPORTO