KQZ refuzon rreth 30 mijë aplikacione për votim nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar një raport jopërfundimtar nga shërbimi votues lidhur me periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Numri i përgjithshëm i aplikacioneve të cilat janë futur në sistem ka qenë 175 mijë e 273 aplikacione. Pas verifikimeve janë larguar 43 mijë e 801 aplikacione si dublikate, të cilat janë dërguar nga aplikues më shumë se një herë në tre e-mailat e shërbimit votues gjatë periudhës së aplikimit”, ka thënë për IndeksOnline, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Pra, në bazë të të dhënave jopërfundimtare, KQZ-ja ka pranuar nga 13 deri më 21 janar rreth 131 mijë e 500 aplikacione për regjistrim si votues jashtë Kosovës.

“Vetëm 33 aplikacione janë pranuar përmes fahut postar dhe 195 të tjera përmes faksit të KQZ-së, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, 131 mijë e 244 aplikacione janë pranuar përmes e-mailave të shërbimit votues”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, pas vlerësimit të aplikacioneve, janë aprovuar 101 mijë e 839 aplikacione për regjistrim, ndërsa janë refuzuar 29 mijë e 633 aplikacione.

“Në 29 mijë e 100 raste aplikuesit janë refuzuar për shkak se nuk e kanë dëshmuar identitetin ose kriteret e zotësisë juridike apo nuk kanë nënshkruar aplikacionin për regjistrim. Në 65 raste të tjera aplikuesit janë refuzuar për shkak se në ditën e zgjedhjeve nuk arrijnë moshën 18 vjeç”, ka pohuar ai.

Sa për sqarim, sipas Elezit, ky nuk është një raport përfundimtar, sepse shërbimi votues akoma është duke bërë kontrollimin e dokumenteve të shtypura dhe krahasimin e tyre.

Shërbimi votues i KQZ-së, respektivisht zyrtarët nga qendra e thirrjeve, janë duke vazhduar të verifikojnë përmes telefonimit aplikuesit të cilët janë të aprovuar pasi kanë kaluar kriteret e zotësisë juridike.

Në qendrën e thirrjeve janë shtuar linjat telefonike.

RAPORTO