Dita e fundit e fushatës zgjedhore, për 10 ditë PZAP ka shqiptuar 3 gjoba për partitë politike në vlerë mbi 43 mijë euro
Sot është dita e fundit ku subjektet politike kanë kohë të bëjnë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, fushatë kjo që nisi më 3 shkurt. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare subjektet politike kanë pasur kohë dhjetë ditë që të shpalosin para qytetarëve plan-programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë. Të gjitha subjektet politike […]
Sot është dita e fundit ku subjektet politike kanë kohë të bëjnë fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, fushatë kjo që nisi më 3 shkurt.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare subjektet politike kanë pasur kohë dhjetë ditë që të shpalosin para qytetarëve plan-programin e tyre qeverisës dhe kandidatët për deputetë.
Të gjitha subjektet politike do të përmbyllin fushatën zgjedhore (sonte) e premte në mesnatë, ndërsa dita e shtune do të jetë heshtje zgjedhore.
Deri më tani, të gjitha takimet e subjekteve politike kanë kaluar të qeta, nuk është raportuar asnjë incident.
Gjatë kësaj fushate e cila është bërë në kohë të jashtëzakonshme, si pasojë e pandemisë COVID-19, subjektet politike nuk i kanë respektuar sa duhet masat anti-COVID, ku shumica prej tyre edhe janë gjobitur nga inspeksioni.
Deri tani, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar tri gjoba për partitë politike, të cilat arrijnë shumën e 43 mijë e 700 euro.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në seancën e mbajtur me datën 11.02.2021 ka shqyrtuar dhe vendosur lidhur me 11 ankesa që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje! Ka paraqitur dy (2) ankesa, një (1) kundër PDK, dhe një (1) kundër AAK, Lidhja Demokratike ka paraqitur një (1) ankese kundër AAK, Organizata Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) ka paraqitur 7 ankesa, tri (3) ankesa kundër AAK, një (1) ankesë kundër PDK, një (1) ankesë kundër LDK, një (1) ankesë kundër NISMA Socialdemokrate, një (1) ankesë kundër Iniciativës Qytetare ‘Komuniteti i Bashkuar’ – Adrijana Hodzic dhe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paraqitur një (1) ankesë kundër Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Rahovec”, thuhet në njoftim.