BE pret që zgjedhjet e 14 shkurtit të jenë me standarde evropiane

14 shkurti u caktua data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ngre dilema, se kush mund të kandidojë ose jo në këto zgjedhje.

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të caktuara të mbahen me datën 14 shkurt, të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithëpërfshirëse. Këtë deklaratë BE-ja e bëri pasi ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, shpërndau parlamentin e Kosovës dhe shpalli datën e zgjedhjeve pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Cilin nga kryetarët e degëve të partive në Suharekë do ta votoni në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Ky vendim qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti e cilësoi të jetë zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për shkak të një vote të një deputeti të dënuar me vendim të shkallës së prerë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, tha se i takon qytetarëve të Kosovës të zgjedhin lidershipin e vet, ndërsa, për BE-në është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse.

“Ne jemi në dijeni për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt. Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që Kosova të lëvizë përpara”, tha Pisonero, duke shtuar se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformave të domosdoshme”, ka thënë ajo.

Pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mediet e Kosovës u ngrit dilema nëse në këto zgjedhje do të mund të garojë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, sepse, edhe Kurti dhe disa zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes janë të dënuar me një vendim të prerë të Gjykatës për shkak se kishin hedhur gaz lotsjellës në parlament në vitin 2015. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se çdokush që ka një vendim për një vepër penale në tri vitet e fundit, përjashtohet nga mundësia për kandidim.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani e ka quajtur absurd dhe kaotik në interpretim vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet të cilit çdokujt që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm i pamundësohet gara për deputet. Sipas Hasanit, nëse praktikohet ky standard atëherë ka rrezik që Kurtit t’i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje.


“Kontradikta kryesore është në mes të pjesës operative nën II dhe paragrafin 260. Ky paragraf bën dallimin në mes të atyre që nuk mund të kandidohen dhe tregon pse dhe kur, si dhe kur humbet mandati. Në rastin e humbjes së mandatit Gjykata e ka ruajtur normën kushtetuese, kurse në rastin e kandidimit ka thënë se çdokush që ka një vendim për një vepër penale përjashtohet nga mundësia për kandidim”, ka thënë Enver Hasani. Sipas tij, në rastin e Albin Kurtit “nëse çështja shkon në Gjykatë sërish, me këtë standard të tanishëm, garant që nuk e lejojnë të jetë as kryeministër. Nuk ka interpretim tjetër tash e tutje”, ka përfunduar Hasani.

Mendim të kundërt ka këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu, i cili ka komentuar aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për votimin e Qeverisë Hoti, në të cilin gjithashtu u sqarua çështja më e diskutuar, ndalesa e kandidimit për deputet për ata që janë dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit. Sipas Sallahut, kufizimi i kandidatëve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, nuk vlen për Albin Kurtin dhe kandidatët që kanë pasur dënime alternative.

Sipas Sallahut, “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në përmbajtje shpreh rrethanat e rastit konkret të humbjes së mandatit për të dënuarin me burg, z.Arifi, ndërsa, devijimi i përmbajtjes së këtij Aktgjykimi te një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës sonë e as Gjykatës Kushtetuese nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi”.

“Këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtesese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast. Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e së drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, shkroi Sallahu në profilin e tij social facebook.

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka, ka thënë se të gjithë kandidatët për zgjedhje do të verifikohen duke mos dashur të paragjykojë nëse do t’i mundësohet ose jo Albin Kurtit që të marrë pjesë në zgjedhje. “Do ta zbatojmë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse na obligon Kushtetuta që t’i zbatojmë të gjitha vendimet. KQZ do të marrë vendim për kandidimin e Kurtit ose të të tjerëve. Ne do ta bëjmë verifikimin e kandidatëve nëpërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku do të dorëzohen të gjitha listat e kandidatëve dhe në bazë të konfirmimeve do të vendosim”, u shpreh Valdete Daka.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë. Do ta zbatojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese plotësisht. Do t’i verifikojmë të gjithë kandidatët dhe varësisht se a i plotësojnë kushtet edhe do t’i certifikojmë ose jo”, tha Daka. Vetë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, shkroi në facebook se “pas shtatë muajve u dëshmua ajo që dihej nga fillimi” që zgjedhja e qeverisë Hoti ishte e paligjshme.

“Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor. Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi”, shkroi Kurti.

Deri tash ndonëse akoma të pacertifikuar nga KQZ, partitë politike kanë prezantuar kandidatët e tyre për kryeministër e që do t’u prijnë listave zgjedhore. Lëvizja Vetëvendosja me kandidat Albin Kurti. Lidhja Demokratike e Kosovës kandidon kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin. Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin e saj Enver Hoxhaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bartës të listës do ta ketë Ramush Haradinajn. Ky i fundit nuk ka deklaruar nëse do të jetë edhe kandidat për kryeministër, ndonëse tashmë hapur pretendon postin e presidentit të Kosovës, i cili po ashtu duhet të zgjidhet nga deputetët e rinj në parlamentin e Kosovës./DW/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
RAPORTO