A e shtyjnë datën e zgjedhjeve ankesat e partive politike?

25.01.2021

Deri të martën do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas moscertifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme […]

A e shtyjnë datën e zgjedhjeve ankesat e partive politike? Foto: Ilustrim

Deri të martën do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas moscertifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“PZAP-ja në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim dhe do t’i shqyrtojë dhe vendos për to”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.

Por, ky insititucion i pavarur, mund të vendosë edhe më herët në apelet që janë dorëzuar brenda afatit ligjor.

“PZAP-ja do të angazhohet me gjithë kapacitetin për t’i kryer sa më shpejt që është e mundur edhe para skadimit të afatit prej 72 orëve. Vendimet mund të merren në të njëjtën ditë apo edhe në ditë të ndryshme para skadimit të afatit prej 72 orëve”, sqaroi Desku.

Çfarë vendimesh mund të priten?

Albert Krasniqi nga organizata ‘Demokraci Plus’, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është hipotetike të dihet saktë se çfarë do të vendosë ky institucion i pavarur, por ai pret që do të aprovohen pjesërisht ankesat e subjekteve dhe kandidatëve.

“PZAP, mund të kërkojë nga KQZ-ja që t’i certifikojë këto subjekte politike, pasi nuk mund t’i mohohet kandidimi të gjithë atyre që nuk kanë probleme me ligjin, pra atyre që nuk kanë dënime në 3 vjetët e fundit vetëm për shkak se kandidatë të tjerë në listë kanë pasur dënime të tilla. Kjo do të ishte e padrejtë nëse do të ndodhte”, tha Krasniqi.

Në vitin 2019, KQZ nuk kishte certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, në katër komunat me shumicë serbe në veri, por PZAP-ja e kishte aprovuar kërkesën e Listës Serbe dhe KQZ-ja ishte detyruar që ta zbatojë këtë vendim.

Cilat janë instancat tjera për apelim?

Më së largu deri më 26 janar, subjektet politike do të pranojnë me shkrim vendimet për apelet e tyre nga PZAP-ja. Nëse janë të paknaqur, ekziston edhe shkalla e fundit për ankesë, Gjykata Supreme.

“Gjykata Supreme duhet që më së largu deri më 30 janar të kthejë përgjigjje në apelet e partive politike. Me këto vendime të Gjykatës Supreme, hapet rrugë për vazhdimin e procesit zgjedhor, ku organizohet hedhja e shortit për renditje në fletvotim”, sqaron Krasniqi.

Në rast se subjektet politike ose kandidatët janë të paknaqur edhe me vendimin e Gjykatës Supreme, kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk ka efekt në shtyrjen ose mosmbajten e zgjedhjeve, në afatin e caktuar kohor.

Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus”, i referohet shembullit nga zgjedhjet e fundit.

“Kemi pas një ankesë në Kushtetuese nga Nisma Socialdemokrate për mospranimin e votave me postë që kishin arritur pas afatit ligjor, por rezultati ishte certifikuar dhe nuk ka pasur ndonjë pengesë” ka thënë ai.