Zgjedhjet lokale, votuesve nuk do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit, masa rigoroze për komisionerë e vëzhgues

02.10.2021

Këto zgjedhje të 17 tetorit, janë zgjedhjet e dyta që do të organizohen në situatën me pandeminë COVID-19, ku së fundmi kjo situatë fatmirësisht ka shkuar drejt normalizimit. Ka më shumë se një muaj që kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa kundër përphapjes së virusit COVID-19, kjo si pasojë e rritjes së numrit […]

Zgjedhjet lokale, votuesve nuk do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit, masa rigoroze për komisionerë e vëzhgues Foto: Ilustrim

Këto zgjedhje të 17 tetorit, janë zgjedhjet e dyta që do të organizohen në situatën me pandeminë COVID-19, ku së fundmi kjo situatë fatmirësisht ka shkuar drejt normalizimit.

Ka më shumë se një muaj që kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa kundër përphapjes së virusit COVID-19, kjo si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe atyre të vdekjes në muajin gusht kur edhe kishte arritur shifra rekorde.

E për këtë, subjektet politike për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, kanë vendosur që kësaj here fushatën ta zhvillojnë më ndryshe, duke u fokusar në atë virtuale (online).

Ndërsa, nga e hëna këto masa janë zbutur, mirëpo certifikata e vaksinimit e po ashtu edhe testet për COVID-19 po kërkohen pothuajse në çdo institucion.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka theksuar se qytetarëve me të drejtë vote, të cilët do të shkojnë për të votuar në ditën e zgjedhjeve, nuk do t’iu kërkohet dëshmia e vaksinimit kundër COVID-19, por një gjë e tillë nuk do të vlejë edhe për komisionerët dhe vëzhguesit, për të cilët masat do të jenë më rigoroze.

KQZ nga votuesit kërkon zbatimin e masave që tashmë edhe janë të njohura, si bartja e maskës, ruajtja e distancës etj., ku këto masa sipas Elezit kanë ardhur si rekomandime dhe këshilla nga institucionet shëndetësore, ku edhe janë miratuar nga ana e KQZ-së në udhëzimin për masat që duhet të zbatohen nga votuesit si dhe nga stafi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve lokale.

Sipas këtij udhëzimi të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, votuesit duhet të mbajnë distancën fizike prej 2 metrave përgjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit.

Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse përgjatë gjithë kohës, por me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit, ku do të vendosen edhe dezinfektues në vendvotim, të cilët do të shërbejnë për votuesit për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit.

Ndërsa, stafit zgjedhor si dhe vëzhguesve të subjekteve politike do t’iu kërkohet të ofrojnë dëshmi të vaksinimit, të paktën me njërën dozë të vaksinës apo teste negative për COVID-19.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë të veçantë subjekteve politike të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2021. Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë njoftuar se masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës, janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Prandaj, kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyre, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe nga vëzhguesit, do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës apo ta kenë me vete ndonjërin nga testet për Covid-19”, tha Elezi për EO.

Anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit (komisionerëve) dhe vëzhguesve do të kërkohet që ta  posedojnë të paktën njërin nga këto dokumente: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër Covid-19; testin PCR negative për Covid-19 jo më i vjetër se 72 orë; dëshminë se personi e ka kaluar Covid-19, testin PCR pozitiv, i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë, ose rezultat i testit pozitiv të antitrupave serologjik IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; apo testin e shpejtë antigjen negative jo më i vjetër se 48 orë.