Më shumë se 18 mijë të vdekur janë larguar nga lista e votuesve për zgjedhjet lokale

03.10.2021

Në zgjedhjet e mëhershme si parlamentare ashtu edhe lokale në listat e votuesve në qendrat e votimit janë hasur edhe emra të personave të vdekur, kjo si lëshim nga organet kompetente për mos largimin e atyre emrave nga listat e votuesve. Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor, për […]

Më shumë se 18 mijë të vdekur janë larguar nga lista e votuesve për zgjedhjet lokale Foto: Ilustrim

Në zgjedhjet e mëhershme si parlamentare ashtu edhe lokale në listat e votuesve në qendrat e votimit janë hasur edhe emra të personave të vdekur, kjo si lëshim nga organet kompetente për mos largimin e atyre emrave nga listat e votuesve.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor, për këto zgjedhje emrat e më shumë se 18 mijë personave të vdekur janë larguar nga lista e votuesve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, ka vazhduar me aktivitete të ndryshme me qëllim të pastrimit dhe saktësisë së listës votuese. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me pastrimin e listës votuese. Në këtë drejtim, është bërë një punë e madhe në zgjedhjet e fundit të të cilat janë mbajtur më 14 shkurt. Që nga procesi i fundit zgjedhor, KQZ-ja ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben pastrimit dhe saktësisë të listës votuese.

Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë dalë në teren dhe kanë verifikuar këto të dhëna”, tha Elezi. 

Sipas Elezit, procesi i verifikimit në terren është bërë përmes zyrave të gjendjes civile në komuna; bashkësive lokale fetare dhe përmes përfaqësuesve të fshatrave. 

“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”bëri të ditur Elezi.