Abdixhiku: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet lokale

07.09.2021

Deputeti i Kuvendit të Kosovës njëherish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se askush nuk guxon të shtyjë zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor 2021. Kryetari i LDK-së ka thënë se propozimi i tij për shkurtim të fushatës zgjedhore ka marrë […]

Abdixhiku: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet lokale Foto: Ilustrim

Deputeti i Kuvendit të Kosovës njëherish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se askush nuk guxon të shtyjë zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 17 tetor 2021.

Kryetari i LDK-së ka thënë se propozimi i tij për shkurtim të fushatës zgjedhore ka marrë përkrahje nga kryetarët e partive opozitare, por ende nuk ka marrur përgjigje as pozitive e as negative nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Një gjë të tillë ai e ka quajtur arrogancë dhe se nuk do të pranojnë shtyrjen e zgjedhjeve lokale.

“Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret.

Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.”, ka shkruar Abdixhiku.

Gjithashtu, i njëjti ka shtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është gati për organizimin shembullor të suhtrimit të vullnetit qytetar.

“KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka shkruar më tutje kryetari i LDK-së.

SHkrimi i plotë i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut:

Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.

Askush s’guxon ta prekë demokracinë.

Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.

Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë.

KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani.

Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufi.