Vazhdojnë kërkimet për veteranin Zylfi Tejeci që u zhduk nga 23 janari
Që nga 23 janari, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Zylfi Tejeci nga Gorozhupi, është zhdukur. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) dega në Has, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për ndihmë nga qytetarët.
Sipas OVL-së, Tejeci është parë për herë të fundit rreth orës 18:55 në një lokal në fshatin Planej, nga ku dyshohet se është nisur për në shtëpi. “Është zhdukur nga ora 18:55, sipas burimeve të vërtetuara ka qëndruar në një lokal në fshatin Planej pastaj ka lëvizur për në shtëpi. Dhe është zhdukur nga ky moment”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së në Has.
OVL dega në Has ka kërkuar nga të gjithë ata që kanë ndonjë informacion rreth vendndodhjes së Zylfi Tejecit, të lajmërojnë menjëherë Policinë e Kosovës.
Zhdukja e veteranit Tejeci ka shqetësuar familjarët dhe miqtë e tij, të cilët i janë bashkuar thirrjes për gjetjen e tij sa më të shpejtë.