Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 00:20, ku patrullat policore iu përgjigjën menjëherë thirrjes. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një grua të gjakosur në rrugë, e cila kishte lëndime të rënda trupore të shkaktuara me thikë. Viktima, bashkëshortja e të dyshuarit, ndodhej jashtë banesës, në gjendje të rënduar.
Pak minuta më vonë, në katin e fundit të ndërtesës, është gjetur edhe vajza e mitur, e cila po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Të dyja viktimave iu ofrua ndihma e parë nga policia, derisa më pas u dërguan në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku, sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.
Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për hetime të mëtejshme.
I dyshuari u arrestua në hyrje të banesës dhe u shoqërua në stacionin policor. Prokuroria ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, me dyshimin se ka kryer veprat penale:
- “Vrasja e rëndë në tentativë”, dhe
- “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afateve ligjore, pritet që ndaj të dyshuarit të parashtrohet edhe kërkesë për caktimin e paraburgimit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Prizren, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.