Reshjet e vazhdueshme shkaktojnë përmbytje në disa zona të Prizrenit
Reshjet e mëdha të shiut, që po bien thuajse pa ndërprerje tashmë për dy ditë me radhë, kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullim në disa zona të Kosovës.
Në Prizren, niveli i ujit në lumin Lumbardh është rritur dukshëm, duke shkaktuar shqetësim tek banorët për mundësinë e daljes së tij nga shtrati.
Situata paraqitet e rënduar edhe në fshatin Hoçë, ku disa rrugë janë përmbytur dhe qarkullimi është bërë i vështirë.
Ndërkohë, në lagjen “Arbana” të Prizrenit janë raportuar përmbytje bodrumesh në disa shtëpi, për shkak të vërshimeve që kanë ardhur si pasojë e reshjeve të pandërprera.
Sipas njoftimit nga Komuna e Prizrenit, pas reshjeve të dendura të shiut, ekipet komunale kanë ndërhyrë menjëherë në disa zona për t’i shmangur përmbytjet dhe për ta mbajtur situatën nën kontroll. Punimet dhe monitorimi – thuhet më tej – po vazhdojnë me intensitet, pavarësisht se reshjet e shiut ende po vazhdojnë.
Autoritetet lokale dhe njësitë e emergjencës janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku ka nevojë.