Pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e familjeve të prekura, ekspertët dhe zyrtarët komunalë, është konstatuar se situata është kritike dhe kërkon ndërhyrje të shpejtë.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve, rrëshqitja e dheut është aktive dhe paraqet rrezik serioz për disa shtëpi dhe për jetën e banorëve. Në disa zona, çarjet dhe zhvendosjet e tokës kanë arritur deri në 1.5 metra thellësi dhe mbi 50 metra gjatësi, duke krijuar një situatë alarmante.
Në përgjigje të kësaj situate, kryetari Totaj ka marrë vendime të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e banorëve. Është vendosur evakuimi i menjëhershëm i banorëve nga shtëpitë e rrezikuara dhe sigurimi i banesave të përkohshme dhe të sigurta për këta qytetarë. Komuna e Prizrenit do të mbulojë qiranë për familjet e evakuuara deri në zgjidhjen e përhershme të problemit.
Kryetari Totaj ka theksuar se siguria e qytetarëve është prioriteti kryesor i institucionit komunal dhe se veprimet do të vazhdojnë me vendosmëri dhe transparencë për të ofruar mbrojtje dhe zgjidhje afatgjate për këtë situatë.