Sipas raportimeve, persona të panjohur po kontaktojnë qytetarët përmes aplikacioneve si Viber dhe WhatsApp, duke përdorur numra telefonikë nga shtetet fqinje, si Bosnja dhe Hercegovina apo Mali i Zi. Ata paraqiten sikur kërkojnë ndihmë financiare për persona në nevojë dhe udhëzojnë që paratë të dërgohen përmes shërbimeve ndërkombëtare si Western Union ose MoneyGram.

Më vonë, viktimat kuptojnë se paratë nuk janë përdorur për qëllime humanitare, por janë përvetësuar për përfitime personale nga individët e dyshuar.

Policia ka theksuar se hetimet e deritanishme kanë vërtetuar se bëhet fjalë për skema mashtruese të organizuara dhe ka bërë apel që qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes të shtuar. Qytetarëve u rekomandohet që të verifikojnë burimin e çdo kërkese për ndihmë, të mos dërgojnë para nëse nuk janë të sigurt për identitetin e marrësit dhe të raportojnë në polici çdo rast të ngjashëm.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e këtyre skemave mashtruese.