Kjo ndërhyrje erdhi si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e kësaj lagjeje, të cilët shprehën indinjatën e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale për ndotjen e trotuarit.
Drejtori i Shërbimeve Publike të Prizrenit, Çelë Lamaj, njoftoi se aksioni i pastrimit u realizua në bashkëpunim me ndërmarrjen publike “Ekoregjioni”, pas sinjalizimit nga kryetari i bashkësisë lokale “Jeta e Re”, Shkumbin Bytyqi.
“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina vend e pavend, sepse shumë shpejt do të pasojnë gjoba, të cilat nuk janë të vogla,” deklaroi Lamaj, duke theksuar se Komuna do të marrë masa të rrepta ndaj atyre që shkelin rregullat e pastërtisë.
Përfaqësuesit e lagjes kishin ngritur shqetësimin për ndotjen e mjedisit dhe kishin bërë thirrje për më shumë kujdes dhe përgjegjësi qytetare. Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë dhe mbrojtjes së mjedisit për një jetë më të shëndetshme dhe komunitet më të mirë.
Drejtori Lamaj ndau të njëjtin mesazh, duke theksuar: “Ta ruajmë mjedisin ku jetojmë!” Ai bëri thirrje për bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për të mbajtur të pastër Prizrenin dhe për të shmangur hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme.