Gjatë një pune intensive hetimore, më 08 dhjetor, hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, meshkuj të rinj, të cilët dyshohen për kryerjen e pesë rasteve të vjedhjes në qytetin e Prizrenit.

Gjatë intervistimit, të dyshuarit kanë pranuar se kanë vjedhur pesë trotinete në lokacione të ndryshme të qytetit.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës rikujton se mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës së tyre, duke theksuar se ky rast është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm në parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale.