Një histori e bashkëjetesës, serbi nga Brezovica punon në Prizren dhe gjen mikpritje
Një serb nga Brezovica ka shpërndarë në YouTube historinë e tij si punëtor i cili ka ardhur në Prizren për të siguruar jetesën dhe ka gjetur punë me një shqiptar.
Një histori e pazakontë bashkëjetese vjen nga rajoni i Prizrenit, ku një serb nga Brezovica ka gjetur punë dhe mikpritje në një mjedis shqiptar. Në një video, ai rrëfen përvojën e tij duke theksuar se ka gjetur më shumë tolerancë dhe mirëkuptim sesa ç’kishte pritur.
I riu serb, shpjegon se ka ardhur në Prizren për të siguruar jetesën dhe ka gjetur punë në një servis motori. Pavarësisht dallimeve kombëtare, ai është përballur me një mikpritje të ngrohtë nga kolegët dhe fqinjët e tij shqiptarë.
“Nuk më shohin si serb… sikur të jem njeriu i tyre”, thotë ai. Për të, kjo përvojë ka sfiduar stereotipet dhe paragjykimet që shpesh shoqërojnë marrëdhëniet ndëretnike në rajon.
Në lagjen ku punon të gjithë e dashuruan shpejt dhe e pranuan jashtëzakonisht mirë. “ Më respektojnë shumë, sikur të kem jetuar më parë, nuk më shohin si serb. Sikur të jem njeriu i tyre. Aty ku punoj janë
shqiptarët , turqit, goranët, të gjitha kombet, dhe isha i vetmi që mungonte që ishim të gjithë të kompletuar”, tha ai.
Përveç fjalëve elementare, ai flet pak shqip, por kjo nuk e pengon të komunikojë me klientët dhe fqinjët.
“Nuk është aspak problem, më flasin pak në shqip, ndonjëherë dikush e njeh gjuhën boshnjake, serbe, shumica e tyre e dinë që unë jam serb dhe askush nuk më ka thënë “Pse keni ardhur këtu? ’, nuk e kam dëgjuar kurrë më parë.
“Sinqerisht, para se të vija këtu, në fillim u frikësova sepse jam serb dhe brez i ri. Por kur erdha, ishte një histori krejtësisht tjetër, nuk është siç thonë njerëzit, siç tregohet. Serbët munden, ejani këtu, të shëtisni nëpër qytet, të qëndroni.
Historia e tij është një shembull i faktit se bashkëjetesa dhe toleranca janë të mundshme, edhe në një rajon me një histori të trazuar. Ajo tregon se njerëzit mund të gjejnë pika të përbashkëta pavarësisht nga dallimet e tyre kombëtare dhe fetare.