Këto ndryshime vijnë si pasojë e punimeve në kuadër të projektit “Ndërtimi i rreth rrotullimit në rrugën “Adem Jashari” (te ish-objekti i “Lirisë”) në lagjen Bazhdarhane”.
Sipas njoftimit të DSHP-së, organizimi i qarkullimit gjatë zhvillimit të punimeve do të jetë si më poshtë:
- Rruga “Adem Jashari”: Drejtimi për Bazhdarhane te hyrja e Shtëpisë së Bardhë do të jetë i bllokuar. Si alternativë, qytetarët mund të përdorin rrugën “Nuredin Shala” (Edit Durham).
- Rruga nga Bazhdarhanja: Nga rreth rrotullimi për në qytet, do të jetë e bllokuar. Automjetet mund të lëvizin nëpër rrugën “Ahmet Prishtina” (në drejtim të shkollës “Lekë Dukagjini”, ku mund të shfrytëzohet edhe rruga “Qazim Berisha”).
- Rruga “Brahim Osmanaj”: Do të jetë e bllokuar në fillim të saj dhe do të shërbejë vetëm për banorët e kësaj rruge, me hyrje dhe dalje nga e njëjta rrugë.
DSHP ka bërë thirrje për bashkëpunimin e qytetarëve, duke kërkuar lirimin e rrugëve “Nuredin Shala”, “Rexhep Kabashi” dhe “Xhevë Lladrovci” nga automjetet e parkuara, në mënyrë që të sigurohet një qarkullim i pandërprerë.
“Në të kundërtën, do të detyrohemi t’i lirojmë rrugët me merimangë dhe të gjitha shpenzimet do t’i bartin pronarët e automjeteve,” thuhet në njoftim.