Filluan punimet për transformimin e shtegut drejt Kalasë së Prizrenit
Ka nisur zbatimi i projektit për transformimin e shtegut të pasmë të këmbësorëve që shpie drejt Kalasë së Prizrenit, një hapësirë rreth 4 kilometra e gjatë që përdoret çdo ditë nga qytetarët dhe turistët.
Punimet parashohin mbjelljen e drunjve përgjatë shtegut, vendosjen e ndriçimit të ri publik, instalimin e shportave të mbeturinave dhe ulëseve për vizitorët. Këto ndërhyrje pritet ta kthejnë këtë hapësirë në një destinacion më tërheqës dhe më funksional, duke ofruar kushte moderne për të gjithë frekuentuesit.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim mes Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, ndërsa sot në nisjen e punimeve ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i MZHR-së, Elldin Uglari.
Sipas autoriteteve, investimi synon të rrisë cilësinë e infrastrukturës për vizitorët, si dhe ta forcojë rolin e Kalasë së Prizrenit si një prej atraksioneve më të vizituara historike e turistike të vendit.