Munishi: Sfida Prishtina-Ballkani kishte tempo të Ligës së Evropës

02.03.2020

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, thotë se tempoja e ndeshjes Prishtina-Ballkani ishte e njëjtë me ndeshje të Ligës së Evropës. Ai tha në “Dueli Sportiv” fjalë shumë pozitive edhe për trajnerin e Prishtinës, Armend Dallku. “Dallku është një ndër trajnerët e vetëm që iu është kundërpërgjigjur në mënyrë fantastike lëvizjeve të mia. Ai do të […]

Munishi: Sfida Prishtina-Ballkani kishte tempo të Ligës së Evropës Foto: Ismet Munishi - FC Ballkani

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, thotë se tempoja e ndeshjes Prishtina-Ballkani ishte e njëjtë me ndeshje të Ligës së Evropës.

Ai tha në “Dueli Sportiv” fjalë shumë pozitive edhe për trajnerin e Prishtinës, Armend Dallku.

“Dallku është një ndër trajnerët e vetëm që iu është kundërpërgjigjur në mënyrë fantastike lëvizjeve të mia. Ai do të bëhet një trajner shumë i mirë”, deklaroi Munishi.

“Në ndeshje ka pasur shumë kualitet, shumë shpejtësi. Takimi kishte vlera të jashtëzakonshme. Ishte një tempo e ndeshjeve të Ligës së Evropës”.

“Nuk ishte një ndeshje aq e dobët sic po e paraqesin kolegët këtu”, u shpreh Munishi.

Munishi dhe ndihmës-trajneri i Prishtinës, Debatik Curri, janë përfshirë në një debat interesant.

Curri tha se gjyqtarët e dëmtuan Prishtinën, ndërsa Munishi u shpreh se Ballkani ishte më i mirë se vendësit

Duke folur për rastin e golit të anuluar të Otto John, Curri ia kërkoi Munishit një koment.

“Do të ishte mirë edhe ti ta komentoje këtë rast. Jepe mendimin tënd. Sa i përket presionit, ne e dimë se çfarë bën Ismeti në ndeshjet e tij, çfarë presioni iu bën gjyqtarëve. Për këtë arsye dy herë jam zgjuar nga bankina”, deklaroi Curri.

“Unë rastin nuk e kam parë sepse kam qenë në bankinë. Edhe nëse ka qenë pozitë jashtë loje, shyqyr Zotit që një herë na ndihmuan gjyqtarët”, theksoi Munishi.

Curri e akuzoi se gjyqtarët e ndihmuan edhe ndaj Dukagjinit:

“Jo, jo, edhe ndaj Dukagjinit të kanë ndihmuar”.

“Cilit Dukagjin, aty ku keni dërguar premi?”, ia kthei Munishi, që u pasua nga pohimi i Currit: “Po, qaty”.

Munishi tha tutje se “e mund Prishtinën kur do”.

“Ne e mundim Prishtinën kur duam. Erdhëm për barazim, e morëm. Nuk ka kuptim t’i mundim para 8000 tifozëve”, tha Munishi.

“Jemi mësuar me këto deklarata tua që s’kanë të bëjnë fare me futbollin”, ia ktheu ndihmësi i Dallkut.

Palët vazhduan edhe me disa replika, që u ndërprenë më pas nga analiza e Arsim Plepollit.