Klubi futbollistik nga Suhareka, FC Ballkani po qëndron në Antalia të Turqisë për fazën përgatitore për stinorin pranveror.

Po ashtu FC Ballkani ka zhvilluar edhe 4 ndeshje miqësore, ku miqësoren e fundit e ‘shkatërroi’ skuadrën rumune duke fituar me rezultat të thellë 4 – 1.

‘Luanët’ e Ismet Munishit në stinorin vjeshtor kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre, ku këtë stinor e mbyllën në pozitën e parë me 34 pikë duke lënë pas Gjilanin me 32 pikë dhe Dritën me 31 pikë.

Klubi nga Suhareka përderisa po qëndron në Turqi siç duke ka shtuar apetitet me synim që në atë pozitë ta mbyllë edhe tërë kampionatin.

Në miqësoren e fundit prej katër golave njërin e shënoi edhe kapiteni i FC Ballkanit, Visar Berisha i cili për Zërin tha se ekipi po kalon formë të lartë dhe duket se është gati për kampionatin aty ku i pret luftë e ashpër si për titull ashtu edhe për Kupën e Kosovës.

“Kushtet këtu janë shumë të mira. Jemi duke punuar me intensitet të shtuar ku po stërvitemi dy herë në ditë dhe moti i mirë po na mundëson për t’u përgatitur shumë mirë”, ka thënë Berisha, i cili është i kënaqur edhe me formën e ekipit në ndeshjet miqësore.

“Kemi zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe shumë të forta dhe cilësore. Ne kemi luajtur shumë mirë dhe kemi treguar tamam që jem ekip i pjekur, ekip kampion”, tha mbrojtësi dhe kapiteni i therandasve i cili më pas pati një koment edhe për lojtarët e ardhur, Arbër Prekazi e Mirlind Daku.

“Lojtarët që janë ardhur në skuadër janë adaptuar shumë shpejt. Me disa kemi qenë bashkëlojtarë dhe nuk po e kanë shumë problem adaptimin në skuadër”, ka përfunduar Berisha.