Tregu global i smartfonëve do të rikuperohet në 2024

30.03.2024

Vitin e kaluar shitjet ranë me 4 përqind. Tregjet në zhvillim si Lindja e Mesme, Afrika dhe India priten të jenë motorët kryesor të rritjes këtë vit sidomos në segmentin e smartfonëve buxhetorë.

Tregu global i smartfonëve do të rikuperohet në 2024 Foto: Ilustrim

Shitjet globale të smarrtfonëve pritet të rriten me 3 përqind këtë vit ndërsa lehtësimi i inflacionit do ti hapë rrugë rikuperimit të kërkesës në vendet në zhvillim së bashku me joshjen që sjell inteligjenca artificiale tha Counterpoint Research.

Vitin e kaluar shitjet ranë me 4 përqind. Tregjet në zhvillim si Lindja e Mesme, Afrika dhe India priten të jenë motorët kryesor të rritjes këtë vit sidomos në segmentin e smartfonëve buxhetorë.

Ky segment parashikohet të rritet me 11 përqind në 2024 pasi u tkurr në 2023. Ai përfshin smartfonët me çmime mes 150 deri në 250 dollarë.

Konkurrenca e egër e kompanive Kineze si Oppo, Vivo dhe Xiaomi e kanë bërë këtë segmentet të smartfonëve ndër më të kërkuarit.

Ndërkaq segmenti Premium me çmime mes 600 deri në 800 dollarë do të rritet me 17 përqind. Lançimi i produkteve AI dhe popullariteti i telefonëve me ekrane me palosje do të kenë impakt të lartë.

Apple dhe prodhuesi Kinez Huawei do të jenë fituesit në segmentin Premium sipas Counterpoint.

Kërkesa e fortë për iPhone dhe lançimi i çipit 5G Kirin nga Huawei do të ndikojnë në performancën e këtij segmenti. Konkurrenca nga Huawei ka bërë që shitjet e iPhone në Kinë të bien me 24 përqind në 6 javët e para të 2024 tha firma analitike.

Ndërkaq Apple është në bisedime për të integruar inteligjencën artificiale të Google, Gemini AI, në iPhone.