Robotët shtëpiakë, realitet brenda një dekade, ekspertët: “Do të jenë si një makinë familjare”

25.02.2025

Një epokë e re e automatizimit po afron. Punëtorët robotë shtëpiakë, të aftë për të kryer detyra të ndryshme, nga pastrimi dhe rregullimi deri te gatimi, mund të bëhen realitet brenda një dekade.

Kjo është parashikimi i ekspertëve në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale, të cilët thonë se makinat e ngjashme me njerëzit do të përdorin teknologjinë e avancuar për të mësuar dhe përshtatur sjelljen e tyre.

Sipas mediave të huaja, modelet e para të këtyre robotëve pritet të kenë një kosto të ngjashme me atë të një makine familjare, duke u vlerësuar nga 20,000 deri në 50,000 euro.

Inxhinierët në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) besojnë se makinat humanoide janë zgjidhja ideale për punët e shtëpisë, pasi “shtëpitë janë ndërtuar dhe rregulluar rreth trupit të njeriut”. Prof. Pulkit Agrawal, shkencëtar kompjuterik në MIT, shpjegon se këta robotë do të jenë të aftë të kryejnë një gamë të gjerë detyrash, duke përfshirë:

  • Kontrollimin e dyerve të kyçura
  • Marrjen e gazetave
  • Vendosjen e rrobave në makinën larëse dhe tharëse
  • Rregullimin e gjërave në kuzhinë dhe dhomën e gjumit
  • Vendosjen e enëve në lavastovilje
  • Copëtimin e perimeve

“Mendoj se kjo mund të jetë e disponueshme në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme,” tha Prof. Agrawal.

Ekipet e inxhinierëve në MIT po punojnë aktualisht në zhvillimin e gishtave të ndjeshëm ndaj presionit, duke i mundësuar robotëve të “ndiejnë” forcën që aplikojnë dhe të shmangin dëmtimin e objekteve të brishta. Ata po zhvillojnë gjithashtu “trurin e inteligjencës artificiale”, i cili do të përshtatet me mënyra të ndryshme të kryerjes së punëve në situata të ndryshme, siç është vendosja e pjatave në vende të ndryshme.